Asllan Sopaj i kishte hapur dy parë dyer të oborrit për ta pritur sa më mirë djalin me gruan dhe fëmijët që ishin nisur nga Sllovenia drejt Kosovës.
Por, Shemsedin dhe Mervete Sopajt nga Malisheva rruga iu ndërpre në Podujevë, kur plagëve që morën nga aksidenti që ndodhi në magjistralen Podujeve-Prishtinë nuk iu mbijetuan.
Ngjarja e rëndë iu kumtua kryefamiljarit nga policia, por fillimisht si një aksident i vogël.
Ky me pikëllim të madh tregon bisedën me nipin i cili e njoftoi për nisjen drejt Kosovës, pasi mori pasaportën sllovene.
Dy fëmijët e çiftit, 4 dhe 5 vjeçar, po vazhdojnë të trajtohen në QKUK. Vajza është e shtrirë në Klinikën e Neurokirurgjisë derisa djali ju nënshtrua një operacioni që zgjati gati 2 orë në të dyja këmbët.
Klan Kosova thirri në numrin e pronarit të kompanisë së autobusit me të cilin u përplas vetura e mërgimtarit për të dhënë një version të ngjarjes.
Ani se nuk e tregoi emrin, personi që u përgjigj në telefonin e tij, e që u paraqit si punëtor i firmës, nuk e mohoi e as pohoi informacionin se autobusi i tyre ishte ndalur në rrugë pas një defekti.
Çifti i ndjerë, sipas familjarëve, prej 15 vitesh jetonin në Slloveni, e po kaq vite udhëtonin drejt Kosovës veç me veturë.