Në orët e mbrëmjes të datës 26 korrik 2022 njësitet policore në Skenderaj dhe në Vushtrri kanë reaguar në dy lokacione, ku kishte informacione për të shtëna me armë në ahengje.
Informacionet në Polici për të shtëna ishin raportuar në fshatin Runik të Skenderajt dhe në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në dy lokacionet të konfiskohen dy armë të llojit pistoleta, tetë fishekë dhe katër gëzhoja, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare.
Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘Përdorim i armës’ dhe ‘Mbajtje në pronësi , kontroll të paautorizuar të armës’”, njofton Policia.
Policia apelon te qytetarët të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje është i sanksionuar me ligj, po ashtu Policia thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë dhe bastisjen e lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët.