Organizatat joqeveritare mjedisore mirëpresin vendimin për taksimin e qeseve plastike, por e konsiderojnë diskutabile impaktin në ambient.
Qeset e plastikës pritet të bëhen me pagesë që nga janari i vit të ardhshëm në Kosovë, prej 5 deri në 10 centë.
Kështu bëhet e ditur në një hulumtim të kryer nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) lidhur me ndikimin e qeseve të plastikës në mjedis.
Zymer Mrasori, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në këtë ministri, ka thënë për KALLXO.com se kanë angazhuar ekspertë dhe kanë formuar grupin gjithëpërfshirës me akterët kryesor, i cili do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme sa i përket reduktimit të qeseve të plastikës.
Ky grup punues ka dalë me një draft fillestar të analizës për qeset e plastikës, në të cilin rekomandohet që qeset e plastikës të bëhen me pagesë, rreth shumës prej 5 cent deri në 10 centë.
“Së pari do të filloj draftimi i Udhëzimit Administrativ i cili do të rregullojë çështjen e qeseve të plastikës. Me miratimin e këtij Udhëzimi Administrativ në fund të këtij viti dhe me hyrjen në fuqi do të fillojë edhe zbatimi i tij në praktikë duke filluar nga janari i vitit 2023” ka shpjeguar Mrasori tutje.
Shoqëria civile mirëpret nismën
Përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend të cilat merren me çështjen e mjedisit kanë dhënë qëndrimet e tyre në lidhje me nismën për qeset e plastikës dhe mundësinë për ndikim në ambient më të pastër.
Arben Nika, drejtor i organizatës “Center for Education and Development of Environment” (CEDE), e ka vlerësuar këtë nismë duke thënë se do të ndikojë që të ketë më pak mbeturina plastike.
Mirëpo, teksa është pyetur se a është i rëndësishëm edhe largimi i tërësishëm i qeseve të plastikës, Nika ka thënë se ky veprim do të ishte më efektiv nëse do të pasohej edhe nga masa të tjera.
“…Është mjaft i rëndësishëm për arsye se masa më e madhe është plastikë në mbeturina, kështu që, do të jetë e domosdoshme. Mirëpo, tash duhet me shku bashkë me veprime tjera që të ndërmerren edhe shishet e plastikës e edhe të tjerat, jo vetëm qeset”, ka vlerësuar Nika për KALLXO.com.
Nisma e MMPHI-së për taksimin e qeseve të plastikës është mirëpritur edhe nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”.
Mirëpo, Valon Raka, kryetar i saj, ka thënë për KALLXO.com se ndikimi i saj është diskutabil.
“Ne si OJQ mjedisore normal që çdo iniciativë që ka të bëjë me reduktimin e mbeturinave të plastikës e përkrahim. Sa ka me qenë efektive kjo është diskutabile për arsye se ne nuk kemi program të riciklimit edhe çështja e këtyre qeseve të cilat prapë se prapë do të shiten ka me qenë pak problematike”,ka thënë ai.
Raka shtuar se programi i riciklimit definitiv që përfshin të gjithë vendin do të ishte një prej zgjidhjeve që të arrihet “agjenda e gjelbër”.
“Programi i riciklimit që e përfshinë krejt Kosovën edhe ku ka program të mirëfilltë sikur në vendet perëndimore që i kemi modele të gatshme, ajo kishte me qenë zgjidhja ideale. Ne si Kosovë ende nuk jemi atje” ka thënë Raka për KALLXO.com.
Porse, ai ka thënë që në anën tjetër, ky riciklim nuk mund të ndodhë momentalisht për shkak se është i kushtueshëm dhe nuk mund të arrihet pa subvencionim nga shteti.
“Ne faktikisht si OJQ kemi bërë hulumtimet tona dhe është e rëndësishme me thonë që pa subvencionim të Qeverisë së Kosovës riciklimi për momentin nuk mund të ndodhë, për arsye se ato mbeturinat të cilat merren apo ndaheshin, në bazë të hulumtimeve tona dhe organizatave tjera nuk është profitabile që një proces i tillë të fillojë për momentin”, ka thënë ai duke shtuar se për tu arritur kjo nevojitet një plan i mirëfilltë.
“Domethënë, duhen diku financa shumë për t’i mbuluar shpenzimet e mbledhjes së mbeturinave. Për këtë duhet një program i mirëfilltë i qeverisë, entiteteve kryesore, palëve të interesit, por edhe shoqërisë civile që mi ngritë vetëdijen që ne në vazhdimësi e bëjmë”, ka thënë ai teksa ka theksuar rëndësinë e një plani kombëtar për pastrimin e natyrës.
A planifikohet edhe heqja e tërësishme qeseve plastike në Kosovë?
Maqedonia e Veriut është një prej vendeve të rajonit që aktualisht ka taksë prej 25 centësh për një qese plastike, një veprim të tillë e ka bërë edhe Serbia e cila ka një taksë 10-20 centë varësisht nga qesja e plastikës. Në anën tjetër, Bosnja dhe Hercegovina ka taksë prej 2-15 centësh dhe Mali i Zi ka taksë rreth 10 centësh.
Ndërkaq, që nga data 1 qershor Shqipëria ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike.
Në anën tjetër, në Kosovë po synohet të bëhet zëvendësimi i qeseve të plastikës me ato të materialeve tjera.
Sa i përket kësaj çështje, KALLXO.com ka kontaktuar kryetaren e Komisionit Parlamentar, për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli (Lëvizja Vetëvendosje) për të pyetur nëse ky komision po punon në ndonjë plan për heqjen e qeseve plastike.
Ajo ka thënë se me këtë gjë është duke u marrë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës .
“Ministria është duke punuar në çështjen e qeseve të plastikës, edhe ne presim që ministria me përfundu me atë propozimin që ka me na dërgu neve. Kështu që, Ministria e Mjedisit është duke u marrë me këtë detajisht”, ka qenë përgjigja e Pacollit.
Në anën tjetër, deputetja ka thënë se janë duke shqyrtuar që të arrihet një plan afatgjatë për qeset e plastikës në mënyrë që ky plan të jetë efektiv dhe të mos ketë nevojë për ndërrime.
Kjo, pasi që siç ka thënë Pacolli, planet e më hershme lidhur me qeset e plastikës ne disa vende të rajonit nuk kanë rezultuar të suksesshme.
“Ne kemi qenë duke diskutuar modelin më të mirë të mundshëm, edhe ne e dimë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë shumë më herët se sa vitet e fundit që është bërë problematike kjo, edhe ju ka dështuar… Ne po duam të mendojmë të marrim një vendim i cili funksionon dhe i cili nuk na bie që mbas tre viteve ose dy viteve të kemi probleme ku nuk aplikohet në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë kryetarja e komisionit parlamentar.
Ajo ka gjithashtu ka deklaruar se qeveria është duke punuar në ekonominë qarkore ku përfshihet edhe riciklimi i mbeturinave.
“Qeveria është duke punuar në përgjithësi sa i përket ekonomisë qarkore e cila përfshin edhe riciklimin e mbeturinave. Tash ministritë përkatëse i kanë disa programe në të cilat po punojnë… sidomos për mbeturinat, janë duke punu për riciklimin e mbeturinave…”, ka treguar Pacolli për KALLXO.com.
Sipas saj, krahas zgjidhjes për qeset e plastikës duhet të bëhet edhe vetëdijësimi i popullatës për rëndësinë që bartin qeset shumëpërdorimëshe .
“Nuk është zgjidhje finale ajo vetëm mi heq qeset por duhet pastaj edhe me vetëdijesu qytetarin që me përdor qese shumë përdorimëshe…Mendoj që ndoshta duhet disa materiale më të lehta që munden vetëm të futen në xhep, është i vogël kudo që e nxjerr ajo bëhet si qese dhe u mundëson njerëzve që me i pas këto sendet. Ne i kemi menduar disa ide të cilat i kemi nda me ministrinë” ka thënë Pacolli duke theksuar se ende janë në pritje të ministrisë.
“Akoma ne nuk kemi diçka finale prej ministrisë ose draft për me i dhanë komentet tona. Unë kam qenë në kontakt me ministrinë dhe na kanë premtuar që ne ju dërgojmë draftin dhe mundemi mi pa dhe mi dhanë rekomandimet tona por nuk kemi marrë akoma, dhe sipas të gjitha gjasave janë akoma duke punuar” ka përfunduar Pacolli.
Ndërkaq, deputetja Ganimete Musli nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, e cila është njëkohësisht edhe anëtare në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, thotë për KALLXO.com, se e konsideron të duhur çdo plan që ka për qëllim zvogëlimin e qarkullimit të qeseve plastike.
Mirëpo ajo ka shtuar se ky studim nga ana e MMPHI nuk ka qenë i nevojshëm të bëhet.
“Për dëmet që shkaktohen nga përdorimi i pakontrolluar i plastikës, në kohën tonë, as që ka pasur nevojë të bëhët një studim. Që plastika është një prej elementeve më të rezistueshme dhe më të dëmshme për ambientin, kjo gjë tashmë dihet” ka thënë deputetja e cila tutje këtë plan e ka konsideruar si të drejtë por të pamjaftueshëm.
“Unë mendoj se ky plan është i drejtë por për mua ky plan është i pamjaftueshëm. Në këtë drejtim ne duhet të kemi plane shumë më të fokusuara dhe më strikte”, shprehet ajo.
E pyetur për rëndësinë e largimit total të qeseve të plastikës, Musliu ka thënë se sipas saj është më efektive që të ofrohen qese shumëpërdorimshe.
“Natyrisht që kostoja e caktuar do të ndikoi në rënjen e përdorimit të qeseve të plastikës, mirëpo unë jam për largimin e tërësishëm të përdorimit të tyre. Është shumë më efektive që të ofrohen qese letre apo qese nga shtofe të ndryshme e të cilat janë të shumëpërdorshme” ka qenë përgjigja e Musliut për KALLXO.com.
Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka pohuar për KALLXO.com se në të ardhmen kjo ministri synon zëvendësimin e qeseve plastike me ato të materialeve tjera. Mirëpo, nga ky institucion nuk kanë theksuar se kur do të fillojë ky proces.
“Tani për tani kjo është vetëm faza fillestare e tranzicionit. Me kalimin e kohës synojmë largimin e plotë të qeseve të plastikës dhe përdorimin e qeseve nga materiali dhe materialeve të tjera jo të dëmshme për mjedisin”, ka qenë përgjigja e MMPHI për KALLXO.com.