Një armë në veturë e tjetra në shtëpi, përfundon në ndalim policor 23-vjeçari nga Klina

Rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje janë në rritje e sipër dhe kjo vazhdimisht e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Në shumicën prej këtyre rasteve të dyshuarit janë të rinj. Njëjtë ka ndodhur edhe dje, në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë, ku Policia ka ndaluar një 23-vjeçar,

Gjatë patrullimit të Policisë në atë pjesë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë me targa vendore, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, ku pas kontrollit të të dyshuarit I.N., Gazeta mëson se është gjetur një armë të zjarrit me municion.

Për shkak të dyshimeve, me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është kryer bastisje në shtëpinë e të riut, ku po ashtu u gjet një armë.

Për shkak të posedimit të armëve ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor në Klinë, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 23-vjeçarit për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“