Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbsë për faturimin e energjisë në veri.
Arritjen e kësaj marrëveshje, Kurti e ka quajtur lajm të mirë dhe tha se është rezultat i punës së Qeverisë që ai udhëheqë.
I pari i ekzekutivit tha se së shpejti do të fillojë faturimi i rrymës për komunat në veri.
I pyetur se a është marrëveshje që e kanë kritikuar si Lëvizje Vetëvendosje, Kurti tha se një situatë e tillë është trashëguar nga të tjerët.
Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, tha Kurti.
Emsiari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, sot njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Ai ka publikuar Udhërrëfyesin me pikat e marrëveshjes.
Pika dy e marrëveshjes thotë se pas shtatë ditëve të marrjes së licencës, Elektrosever do t’i njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve.
Kurse pas 10 ditëve, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT dhe KEDS në mënyrë që të operojë në tregun e energjisë në Kosovë.
Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, 15 ditë më pas Elektrosever do të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licensës së furnizimit.
30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të ketë qasje në nën-stacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit.
Nëse pas 100 ditëve, nuk zbatohet dispozitat për të cilat është rënë dakord, ZRrE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën për Elektrosever.
“Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspertize, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”, thuhet në Udhërrëfyesin e publikuar nga Emisari i BE-së, Lajçak.