Në kuadër të shënimit së 23 vjetorit të Ditës së Paqes, krerët shtetëror kanë bërë nderim edhe te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu duke shprehur mirënjohjen e secilit që shërbeu në çlirimin e Kosovës, tha se miqësitë e ndërtuar me SHBA dhe shtetet anëtare të NATO-s janë të shenjta, e të cilët e kultivojnë çdo ditë.
Osmani-Sadriu u shpreh se më 12 qershor 1999 ushtarët e NATO-s hynë në Kosovë duke dhënë kumtin e lirisë dhe duke ndal vuajtjet e popullit shqiptar.
“Jemi mirënjohës kontributit të secilit, gjithë atyre që morën vendimin politik për të ndërhyrë në Kosovë në mënyrë që Kosova të çlirohej dhe të gjithë atyre që shërbyen që nga viti 1999 e tutje në mënyrë që paqja e siguria të ruhej në Republikën tonë, por edhe gjithë rajonin tonë. Miqësitë të cilat janë ndërtuar me SHBA dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s për ne janë të shenjta ato i ruajmë por mbi të gjitha i kultivojmë edhe më tej sepse Republika jonë në rrugën përpara ka nevojë për miq të tillë, miq me të cilët i ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë e të paqes”.
“E edhe sot kur këto vlera po kërcënohen në kontinentin tonë ne qëndrojmë përkrah tyre duke dhënë kontributin tonë sado të vogël pikërisht duke dëshmuar se liria, demokracia dhe parimet siç janë sovraniteti dhe pavarësia në shtetin tonë dhe kudo në botë duhet të ruhen dhe duhet të respektohen”, u shpreh ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se me punën e përditshme, dëshmojnë se ndërhyrja e NATO-s për të çliruar Kosovën, ia ka vlejtur shumë.
19 shtete demokratike të Aleancës Veri-Atlantike u bënë bashkë dhe ndërhynë ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovës. 860 mijë shqiptarë u patën dëbuar nga Kosova, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre 20 mijë gra e vajza por edhe burra u patën përdhunuar nga forcat serbe, 13 mijë u vranë dhe 120 mijë shtëpi u shkatërruan, dogjën apo rrënuan. Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë por me 12 qershor është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjiten sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bënë të mundshme që për çdo vit e sot janë bërë 23 vite ne ta kremtojmë 12 qershorin si ditë e Çlirimit dhe Paqes”.
“Kjo është një ditë kur gëzimi dhe krenaria e mund dhimbjen dhe pikëllimin tonë, kujtojmë të gjithë të rënët kujtojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë nga radhët e NATO-s që ose ranë në shërbim ose vdiqën ndërkohë e kontribuuan shumë për çlirimin e vendit tonë e për lirinë e popullit tonë…Duke dëshmuar me punën tonë të përditshme se ndërhyrja e NATO-s për ta ndal gjenocidin serb e për ta shpëtuar popullin shqiptar ia ka vlejtur shumë”, theksoi Kurti.
Në shënim të 23 vjetorit, Ditës së Lirisë apo Çlirimit, krerët shtetëror fillimisht kanë bërë sot homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ish-veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, si dhe në Prekaz, shkruan kp.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.
23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.