Rastet kur zyrtarët Policia e Trafikut ballafaqohet me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës janë rritur. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të hënën në Prishtinë, pasi Policia e ndaloi një 34-vjeçar për t’ia shqiptuar një tiketë për kundërvajtje.
Sinjali mëson se i dyshuari I.S., fillimisht ishte ndaluar në një pikë kontrolli, në rrugën “Nekibe Kelmendi”, ku Policia e kishte dënuar, e më pas është bërë kontrollimi i veturës së tij, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, me ç’rast është gjetur një thikë.
Kontrolli policor siç duket e revoltoi të dyshuarin, i cili për një moment filloi t’i kërcënojë zyrtarët policorë duke iu drejtuar me fjalët se “Unë kam probleme me Njësinë Speciale të Policisë, edhe gjithë ko me pas probleme, me ta jom t’u u shty në Gjykata”.
Por asgjë nuk mbaroi këtu, pasi i njëjti vazhdoi me kërcënime edhe brenda stacionit policor, ku njërit nga pjesëtarët e Policisë i ka thënë se “ju keni personi me mua, me ty s’flas, po shihna mas ktuhit”.
Posa panë rrezikun që po u kanosej, policët e vunë në kontroll të dyshuarin dhe ndaj tij, me Urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Kanosja ndaj personit zyrtar”.