Vashat e Dukagjinit kampione të Ligës U17

U17
28 maj, 2022 – Skuadra e Dukagjinit është kampione e Ligës U17 në konkurrencën e vajzave. Në ndeshjen përcaktuese vashat e Dukagjinit fituan kundër Kosovës VR, me rezultat 4:0.

Ndeshja u zhvillua, të shtunën, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar dhe nuk prodhoi gola, por në pjesën e dytë futbollistet e Dukagjinit ishin shumë më efikase dhe realizuan katër herë.

Rezultatin e zhbllokoi Vanesa Nushi në minutën e 51-të. Më pas Erolinda Smakiqi e dyfishoi epërsinë nga penalltia në minutën e 62-të. Pas pësimit të këtyre dy golave pati rënie motivi tek futbollistet prishtinase, gjë të cilën e shfrytëzuan vashat klinase, të cilat deri në fund të ndeshjes shënuan edhe dy gola nëpërmjet Elsa Racit (75′) dhe Shyrete Racajt (77′).

Në fund trofeun e kampionit për skuadrën e Dukagjinit e dorëzoi Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave. Dukagjini gjatë kampionatit të rregullt ishte shpallur kampion në Grupin B, derisa Kosova VR kampion në Grupin A.