27 maj, 2022 – Kombëtarja e Kosovës i ka nisur përgatitjet për katër ndeshjet e muajit qershor për edicionin e ri në Ligën e Kombeve. Dardanët, nën udhëheqjen e përzgjedhësit Alain Giresse, paraditën e së premtes në temperatura goxha të larta, e kanë mbajtur seancën e parë stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali.
E aty do të zhvillojnë edhe seancën e pasdites në orën 17:30. Në stërvitje kanë marrë pjesë 17 futbollistë, teksa pjesa tjetër do t’i bashkohet ekipit ndërkohë. Stërvitja e parë kaloi pa ngarkesa të mëdha, kryesisht me ushtrime fizike, vrapime të lehta dhe lojë individuale me top, teksa te lojtarët dardanë vërehet disponim i mirë për nismë të mbarë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Lidhur me grumbullimin, formën e lojtarëve dhe pritjet e tij për ndeshjet e radhës, në orën 14:00 në konferencë për media do të paraqitet trajneri francez, Giresse. Kosova duelin e parë e zhvillon më 2 qershor si mysafire e Qipros, më pas dy ndeshje i luan në shtëpi kundër Greqisë (më 5 qershor) dhe kundër Irlandës së Veriut (më 9 qershor, teksa në fund si mysafire përballet me Greqinë (më 12 qershor).