Zyrtari policor Bafti Hoxha, i akuzuar për sulm ndaj gruas së tij, u shpall fajtor të premten nga Gjykata e Prizrenit.
Sipas Prokurorisë në vitin 2016, polici Hoxha me dashje, për shkak të problemeve të vazhdueshme mes tij dhe të dëmtuarës – gruas A. H., e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte.
Ndaj zyrtarit policor gjykata ka shqiptuar dënimin unik prej 900 euro gjobë për shkak të veprës penale sulmi dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë së premtes, Hoxhës fillimisht iu shqiptuan 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, Betim Kadolli ky dënim iu shndërrua në gjobë.
Sipas aktakuzës Bafti Hoxha më 25 shtator 2016, në Prizren në Lagjen Arabana, në shtëpinë e tij familjare për shkak të problemeve të vazhdueshme mes tij dhe bashkëshortes A. H., pas fjalosjes, me dashje sulmon fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Në këtë mënyrë Bafti Hoxha u akuzua se ka kryer veprën penale sulmi.
Prokuroria më tej përshkruan se gjatë një kontrolli nga ana e zyrtarëve policor në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur arma e zjarrit-pushkë gjuetie kalibrit 12mm dhe 48 fishekë të kalibrit 9, 8 fishekë të kalibrit shkollorë, 1 fishekë i kalibrit 8mm pa leje përkatëse.
Hoxha akuzohej se ka kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.
I njëjti u obligua që të paguaj shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Të akuzuarit gjithashtu i është konfiskuar edhe arma e zjarrit-pushkë gjuetie e kalibrit 12mm me 48 fishekë.