Këtë vit shkollor në test do të jenë 200 pyetje, për 5 lëndë shkencore e 4 shoqërore .
Në këtë vit shkollor 2021/2022, testi i arritshmërisë do të jetë tërësisht ndryshe nga vitet e kaluara. Për nëntë lëndë do të jenë 200 pyetje, por nënshtrimi në këtë test do të ndahet në dy ditë:
Më 4 qershor nxënësit do të sprovojnë dijen e tyre në lëndët shoqërore: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi.
E pas dhjetë ditëve më 14 qershor do të hyjnë për testim në lëndët shkencore: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji.
Koha në dispozicion për nxënësit në nënshtrimin e testit të arritshmërisë do të jetë 120 minuta apo 2 orë. Brenda një klase gjatë testimit do të jenë prezentë 15 nxënës.
Në udhëzuesin mbi testin e arritshmërisë për vitin 2022, është shpjeguar se për secilën lëndë sa do të jetë numri i pyetjeve.
Lëndët me më së shumti pyetje janë gjuha shqipe dhe matematika nga 35 pyetje. Semimaturantët në lëndët histori e gjeografi do t’i kenë nga 25 pyetje. Me nga 17 pyetje do të jenë lëndët fizikë dhe biologji. E në kimi janë 16 pyetje. Më se paku pyetje do të ketë për lëndën gjuhë angleze dhe informatikë nga 15.
Forma e tillë e testit të arritshmërisë për disa nxënës shihet si formë e mirë e për disa të tjerë ngarkesë.
Semimaturanti Arlind Mulliqi thotë se u duket më vështirë që janë 200 pyetje, pasi nëse nuk i plotësohen të gjitha mund edhe të ndëshkohen në fund pastaj me rezultat.
E Finesa Daija e sheh shumë pozitive ndarjen e testit të arritshmërisë në dy ditë. “Pasi që i kemi dy ditë të ndara besoj që kemi më shumë kohë me iu përkushtua më shumë lëndës së caktuat se sa me i pas të gjitha në një ditë…”, tha ajo.
Me ndryshimet në testin e arritshmërisë, drejtues të Ministrisë së Arsimit vënë në dukje se me rezultatet që marrin do të synojnë ndryshimet në formën e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Jo të gjitha lëndët do të mbahen brenda një dite, arsyeja ka qenë që me një numër të vogël të pyetjeve në një lëndë të caktuar, nuk mund të ketë vlerësim real, andaj e kemi ndarë atë në dy ditë. Një test i realizuar në këtë formë do të jep rezultate më besnike për shkallën e njohurive të nxënësve për vazhdimin e shkollimit të mesëm” ka deklaruar zv/ministri i arsimit, Dukagjin Pupovci për RTK-në.
Rezultatet e testit të arritshmërisë jo vetëm këtë vit, por gjithnjë nuk kanë treguar gjendjen reale në sistemin arsimor në Kosovë, ka theksuar Rinor Qehaja nga institute “EdGuard”.
“Nuk besojë që numri i madh i pyetjeve do të kontribuoj në një rezultat më të besueshëm pasi që thelbi i problemit nuk është ai por keqadministrimi. Me keqadministrim, pastaj kemi një rezultat shumë të fryrë, ku nxënësit e dobët kopjojnë dhe të mirët nuk tregojnë rezultat të mirë, e me këtë nuk bëhet filtrimi i duhur por kontribuohet më shumë në padrejtësi…” tha ai.
Testi i arritshmërisë i ndarë në dy ditë dhe me 200 pyetje rikthehet tek nxënësit pas 14 vitesh siç ishte në fillim nga viti 2003 deri në vitin 2008.