Një zyrtar policor i cili po udhëtonte me familjen, me veturë civile, nga Gjakova për në Pejë është ballafaquar dje me dy të rinj, të cilët ia bllokuan qarkullimin teksa i njëjti po lëvizte në rrugën “Dëshmorët e Hereqit”. Sinjali ka mësuar se si u terrorizua familja, kur policit i dolën parapara dy persona, të cilët e kanosën seriozisht.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se motivi i kërcënimit të zyrtarit policore dyshohet të jetë hetimi i disa rasteve, në të cilat ka qenë i përfshirë njëri nga personat e dyshuar.
Siç merr vesh Sinjali, njëri nga të dyshuarit iu kishte drejtuar zyrtarit policor me fjalët “E di mirë kush je”, teksa personi tjetër i kishte thënë se “Hajt se ke me pa ti, s’ki me ma honger, mirëpo qenke me familje, shihemi herë tjetër”.
Me të mbaruar ‘punën’ e tyre, dy të dyshuarit janë larguar me motoçikletë në një drejtim të panjohur dhe ende nuk janë kapur.
Sipas burimeve të Sinjalit, njëri prej tyre ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, pasi është person i njohur për Policinë dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse në shenjë hakmarrjeje, e kërcënoi policin, në pikë të ditës.
Sinjali mëson se së shpejti pritet arrestimi i të dyshuarve për këtë rast.