SHKOLLA FILLORE “MOTRAT QIRIAZI”, NË KLINË, SHËNOI DITËN E SHKOLLË

Shkolla fillore e mesme e ulët, “Motrat Qiriazi”, në Klinë, sot, me disa aktivitete kulturoro-edukative, ka shënuar ditën e shkollës.

Në këtë shënim të ditës së kësaj shkolle, të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Klinë, Prof. Dr. Zenun Elezaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tjerë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, mësues, nxënës të kësaj shkolle dhe qytetarë.

Para të pranishmëve, kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e ditës së shkollës.
“Ndjehem i lumtur që sot po e shënojmë një festë të përbashkët, Ditën e shkollës suaj dhe tonën. Çdo njeri dhe çdo institucion e ka një motiv për më shumë punë, për më shumë suksese, kurse nxënësit dhe punëtorët e shkollës suaj gjithmonë duhet të bazohen në shëmbëlltyrën arsimore dhe atdhetare e pishtareve të arsimit Motrave Qiriazi, emrin e të cilave me dinjitet mban kjo vatër e dijes dhe e arsimit tonë dhe le t’ju shërbejë frymëzim dhe udhërrëfyes për punë dhe angazhim në rrugën tuaj të dijes.

Këto ngjarje madhore po ashtu na bëjnë të ndjehemi krenarë për rezistencën, sakrificat, por edhe të arriturat që ka pasur kjo vatër e dijes për shumë dekada të jetës së saj, e cila mbijetoi në kohërat më të egra të rrugës së saj historike. Puna dhe angazhimi i gjithëve në këtë shkollë, si në të kaluarën, po ashtu edhe tash, si frymëzim për angazhim keni pasur zgjimin e vetëdijes kombëtare, ndër të tjera edhe përhapjen e ideve iluministe të Rilindjes, sipas motos Naimiane: “ Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”. Po ashtu mesazhi shumë domethënës dhe kuptimplotë i rilindësve tanë, “arsimi dhe gjuha janë burime të dijes dhe fryma e kombit”, gjithmonë kanë gjetur dhe do të gjejnë vend si udhërrëfyes në angazhimin tuaj të përhershëm.

Në fund, dëshiroj t’ju përkujtoj që ne si Komunë jemi të përkushtuar që edhe shkollën tuaj, por edhe gjithë shkollat tjera të komunës sonë, t’i mbështesim me qëllim që t’u krijojmë kushte sa më të avancuara për punë dhe mbarëvajtje sa më cilësore, duke shpresuar se vetëm me krijimin e kushteve solide, sukseset nuk do të mungojnë.

Nga investimet kapitale të Komunës dhe të Qeverisë së republikës së Kosovës, sot shkolla juaj dhe shkollat tjera tona, kanë kushte dhe mjete më të favorshme për aftësimin.

Gjatë programit, për nderë të kësaj dite nga nxënësit e shkollës u shfaq një program i pasur kulturoro-artistik.