Gjatë ditës së djeshme, në media u raportua se nga dita e sotme pritet të ketë rritje të mëtutjeshme të çmimit të derivateve në Kosovës.
Rritja u raportua se pritet të shkojë nga 5 deri në 7 cent më shumë për litër.
Lidhur me këtë në një përgjigje për Reporteri.net ka folur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Ai ka thënë se aktualisht nuk ka rritje dhe çmimet deri në këtë moment vazhdojnë të jenë të njëjta si gjatë ditës së djeshme.
Naftëtarët vazhdimisht kanë kërkuar që të rishikohet vendimi i Qeverisë së Kosovës që përcakton çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës, duke paralajmëruar se nëse nuk ndodh kjo shumë pika karburanti në Kosovë mund të falimentojnë.
Çmimet e naftës dhe derivateve të saj, kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë.
Qeveria e Kosovës më 1 mars kishte marr vendim që te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.