Bastisen dy lokacione në Lipjan dhe Kijevë, gjenden mallra të kontrabanduara nga Serbia

Dogana e Kosovës ka njoftuar se oficerët doganorë kanë ushtruar bastisje në dy lokacione të dyshuara për posedim të mallrave të kontrabanduara.

Njësitet anti kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ushtruar kontroll në dy lokacione (Kijevë dhe Lipjan) dhe me këtë rast është hasur në mallra pa dokumentacion të cilat ishin kontrabanduar nga Serbia.

“Në lokacionin e parë janë gjetur 550 Litra Vaj Ushqimor me origjinë nga Serbia, derisa në lokacionin e dytë janë gjetur rreth 800 Litra Pije Coca Cola me origjinë nga Serbia. Mallrat janë  sekuestruar dhe rastet janë referuar në procedurë kundërvajtëse.”, thuhet në njoftimin për media, transmeton lajmi.net.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të cilat ka, për parandalimin e veprimtarive ilegale në gjithë territorin e Kosovës