Gabimin që e bëri dje Ballkani, sot nuk ka arritur ta shfrytëzojë për t’iu afruar në renditje skuadra e Gjilanit.
Të drejtuarit nga Ismet Munishi u mposhtën sot 2-0 (Altin Merlaku 33’ 35’) në Klinë nga Dukagjini, rezultat i cili për këtë të fundit është fantastik në luftën për mbijetesë.
Figura kryesore e pjesës së parë dhe e ndeshjes ishte Altin Merlaku, i cili e gjeti rrjetën dy herë brenda pak minutave (33’, 35’), për ta çuar Dukagjinin në pushim mes pjesëve me epërsi dygolëshe.
Përveç dy golave të pësuar në pjesën e parë, në minutën e 25’ të ndeshjes, Gjilani humbi Yll Hoxhën, i cili u detyrua të largohet nga loja për shkak të lëndimit, e në vend të tij hyri Muhamed Useini.
Përkundër rasteve për shënim, pjesa e dytë nuk dhuroi asnjë gol dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultat 2-0 në të mirë të Dukagjinit.
Ky rezultat bën që Gjilani të mbetet në vendin e tretë të renditjes, me pikë të barabarta me Dritën e vendit të dytë, kurse për Dukagjinin kjo fitore ka rëndësi tejet të madhe në luftën për shpëtim pa rënë nga elita e futbollit kosovar.
Gjithashtu, vlen të përmendet që kjo është hera e parë që Gjilan pëson humbje jashtë shtëpisë në këtë sezon të Superligës. Nga tri humbjet në total, Gjilani dy herë është mposhtur në shtëpi.