Një ngjarje e rëndë ka tronditur Klinën, ku nga të shtënat me armë zjarri në Zllakuqan, mbeti i vrarë 40-vjeçari, Mark Ademi. Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e tij, Anton Ndrecaj si i dyshuari kryesor, Ndue Ndrecaj, i cili më pas u lirua, dhe një person tjetër.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Gjykatës bëjnë të ditur se nesër në ora 10:00 do të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit, Anton Ndrecaj.
Po ashtu burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se në arrati ndodhen edhe dy vëllezërit e viktimës, Mark Ademi, të cilët po ashtu ishin të përfshirë në rrahje.
Përmes burimeve, Sinjali mëson se Ademi e Ndrecaj janë kushërinj mes vete dhe se gjithçka ndodhi pas një fjalosje që kishin vëllezërit e të dy palëve për motive ende të panjohura.
Ndryshe, një patrullë policore kishte marrë informacionin dje rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi.
Sinjali mëson se Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi.
Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.
Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.
Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.
40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton Ndrecaj, Ndue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.
Ndaj Anton Ndrecajt, prokurorja ka lëshuar urdhër për caktimin e masës së ndalimit prej 48 orësh, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Mark Ademit.