Mëngjesin e sotëm është sulmuar sërish Policia Kufitare në veri, por ndryshe nga sulmet e kaluara, kësaj radhe ka ndodhur nga ana e Leposaviqit.
Burime të KP bëjnë të ditur se dyshohet që sulmi ka ardhur nga vendi i quajtur Mure, që është në territorin e Serbisë.
Sipas informacioneve të para, jozyrtare, policia është sulmuar me eksploziv.
Deri më tani nuk dihet nëse ka të lënduar nga ky sulm.
Gjatë një konference për media ditën e premte, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti njoftuan për 4 sulme të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë në vetëm tri ditë.
Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër sulmet ndaj policëve të Kosovës, njëjtë sikurse KFOR-i, të gjithë liderët institucionalë e politikë.