Një person është arrestuar sot në Prishtinë, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Mashtrim’, ‘Falsifikim dokumenti’ dhe ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një njoftimi, ku bëhet e ditur se i dyshuari E.C, 41-vjeçar, dyshohet se përmes mashtrimit dhe falsifikimit ka lidhur disa kontrata shitblerjeje me së paku shtatë persona dhe të përfitojë nga ta rreth 99 mijë e 500 euro, duke u premtuar shitjen e pronës në një paralagje të Prishtinës,
“Sipas informacioneve të deritanishme, janë ngritur dyshimet se, i dyshuari duke prezantuar rrethana të pavërteta ka arritur të mashtroj së paku shtatë persona dhe të përfitoj nga viktimat rreth 99.500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një para lagje të Prishtinës. I njëjti përmes mashtrimit dhe falsifikimit dyshohet të ketë lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme vlera e të cilave arrin qindra mijëra euro”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë janë identifikuar dhe janë në kërkim policor edhe dy të dyshuar të tjerë që dyshohet të jenë të implikuar në rastin e njëjtë.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.