Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin ndaj portierit të Ballkanit Steve Frashëri.
Kështu ka marrë vendim Gjykata Themelore e Gjilanit.
Të dyshuarit F.R dhe B.K gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Gjilani – Ballkani, kishin hyrë në fushë dhe e kishin sulmuar gardianin e portës së ekipit nga Suhareka, i cili si pasojë e lëndimeve ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 03.04.2022, rreth orës 15:20 minuta në stadiumin e qytetit në Gjilan, derisa zhvillohej ndeshja e futbollit, të pandehurit e lartcekur hynë në fushën e futbollit kinse për festimin e golit të barazimit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, me ç’rast i pandehuri F. R. e rrëzon për tokë të dëmtuarin S. F., ndërsa i pandehuri B. K., vërsulet në drejtim të dëmtuarit dhe e godet me shqelm në fytyrë, me këtë rast i dëmtuari alivanoset dhe të njëjtin e dërgojnë në Emergjencën e Spitalit në Gjilan”, njofton Gjykata Themelore e Gjilanit.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale ” pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.