Mediat serbe po raportojnë se Policia e Kosovës po i kontrollon serbët që janë nisur drejt Serbisë për të votuar në zgjedhje. Nga institucioni për mbajtjen e rendit i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, i tha Gazetës Express se “nuk ka pasur raste të tilla”.
“Ne jemi për të ndihmuar qarkullimin”, tha ai. “Nuk ka ndalesa të autobusëve”.
Mediumi serb, Kossev, duke cituar një medium lokal serb, shkroi se Policia e Kosovës e ka ndaluar për gjysmë ore një autobus me serbë nga fshati Gorazhdec në rrugën Pejë – Mitrovicë. Sipas tyre, të gjithë pasagjerët janë nxjerrë jashtë dhe autobusi është kontrolluar detajisht.
Serbia po mban sot zgjedhjet për President, parlament dhe për 14 qeverisje lokale, përfshirë edhe Beogradin.
Qytetarët serbë të Kosovës, të cilët kanë nënshtetësi të Serbisë, u duhet të shkojnë në katër qendra të votimit në Serbi për të votuar. Kjo pasi Serbia nuk ka ndonjë metodë të votimit të shtetasve jashtë territorit të saj, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që zgjedhjet e shtetit fqinj të organizoheshin në territor të saj.