Rusia do që ta ndajë Ukrainën në dy pjesë, siç ndodhi me Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, tha të dielën shefi i zbulimit ushtarak të Ukrainës, Kyrylo Budanov.
Ai tha se vendi do të bënte një luftë të ashpër për të parandaluar një copëtim të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Perëndimit t’i japë Ukrainës tanke, avionë dhe raketa për të ndihmuar në frenimin e forcave ruse, të cilat qeveria e Kievit tha se po vinin gjithnjë e më shumë në shënjestër depot e karburantit dhe ushqimit.
Pas më shumë se katër javësh konflikt, Rusia nuk ka arritur të marrë nën kontroll asnjë qytet të madh ukrainas dhe Moska sinjalizoi të premten se po zvogëlonte ambiciet e saj për t’u fokusuar në sigurimin e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar me ushtrinë ukrainase për tetë vitet e fundit.
Një udhëheqës lokal në Republikën e vetëshpallur Popullore të Luhanskut tha të dielën se rajoni mund të mbajë së shpejti një referendum për bashkimin me Rusinë, ashtu siç ndodhi në Krime pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas në 2014./VoA