Është zbuluar se kompanitë e derivateve të naftës kanë pasur mjaftueshëm rezerva për të mos i varfëruar xhepat e qytetarëve në ditët e para të muajit mars, në kohën e pikut të luftimeve në Ukrainë.
Mirëpo nuk e kishin bërë një gjë të tillë. Vendosën që të shfrytëzojnë rastin dhe të përfitojnë majmë në kohë krize.
Tri ditë pasi kryeministri Albin Kurti mori një vendim lidhur me industrinë e naftës, kompanive të këtij sektori iu erdhi një kërkesë nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Iu kërkohej që të deklaronin se sa litra naftë i posedonin në stoqet e tyre. Kjo kërkesë është bërë me qëllimin që të implementohej vendimi i Kurtit për të mos lejuar korporatata e naftës që të kenë më shumë se 6 përqind fitim në shitjet me pakicë.
Ndërsa në shitjet me shumicë vendimi parashihte marzhë prej vetëm 4 përqind.
Kërkesës së ATK-së i ishte përgjigjur edhe korporata Hib Petrol, pronë e Ibrahim e Kujtim Bucaliut.
Kishte njoftuar ATK-në se korporata posedonte mbi 3 milionë litra derivate të naftës në stoqet e saj.
Gazeta Insajderi posedon raportet e korrespodencat mes ATK-së e kësaj kompanie private.
Kjo rezerve milionëshe i ndihmonte kompanisë që të mos rriste çmimin e derivateve të naftës. Mirëpo në praktikë ndodhi e kundërta.
Përkundër sasisë enorme rezervë, korporata HIB Petrol vendosi që të rrisë çmimin disa herë brenda dhjetë ditëve-nga data 4 mars deri më 14 mars të vitit 2022.
Gjersa gjatë muajit shkurt çmimi i një litre naftë në këtë kompani ishte nga 1 deri në 1 euro e 6 cent, në kohën e fryrjës së çmimeve situata kishte eskaluar.
Deri më datën 14 mars çmimi ishte rritur mbi 5 herë, përderisa në bursë kishte pasur më pak lëvizje. Prej 1 euro e 6 cent në fund të shkurtit, çmimi i një litre naftë në këtë kompani kishte shkuar mbi 1 euro e 80 cent.
Ministria e Tregtisë, ATK dhe Prokuroria në gjumë
Pasi Gazeta Insajderi ka zbuluar se kompanitë e derivateve të naftës kanë pasur mjaftueshëm rezerva në stok por pavarësisht kësaj kishin rritur cmimin e derivateve deri në 1 euro e 80centë, ka kërkuar të dijë nga insitucionet shtetore se a kanë dalur në inspektim.
Këto të dhëna i posedon Administrata Tatimore e Kosovës. Ky insitucion nuk ka treguar nëse për të njëjtat e ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit.
Gazeta ka kërkuar të dijë nëse Prokuroria dhe Ministria e Tregëtisë kanë nisur hetime rreth kësaj cështje.
Por, asnjëra nga Insitucionet shtetore nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës. Nuk kanë treguar nëse kanë qenë në dijeni të sasisë së rezervave që kanë pasur kompanitë e derivateve.
Ato nuk kanë treguar as nëse kanë nisur hetime ndaj kompanive që rritën cmimet në kurriz të varfërimit të qytetarëve duke u shkaktuar panikë te ta pikërisht në kohën e shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Gazeta lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek kompania Hib Petrol, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.