Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Pika” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Realizimi i operacionit “Pika” është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë kalimeve kufitare në Qafë Prushë dhe Qafë Morinë si dhe dy zyrtarëve doganorë.
Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale.
Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika” ka arrestuar sot 48 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy togerë policorë – komandantë të pikë kalimeve kufitare në Qafë Prush dhe Qafë Morinë dhe pesë rreshterë) si dhe dy zyrtarë doganorë, që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”.
Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar me qindra herë (mbi 400 herë) në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” .
Të arrestuarve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe ndaj të njëjtëve nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës si pjesë e procedurave administrative.
IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa hetuesit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në kuadër të këtij rasti në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.