Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar dy ish-kryetarët e partisë, Hashiim Thaçin e Kadri Veseli në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se pret kthimin sa më parë të tyre sa më parë.
“Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë”, ka shkruar Memli Krasniqi.
“Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë. Të fala të përzemërta!”, thuhet në postimin e tij.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit. Ata po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Për këto akuza ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.