Pronari i kompanisë ‘Floil’ në Gjilan, Berat Mustafa, të cilën kompani e vizitoi sot kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kompania e tij aktualisht 1 litër vaj është duke e shitur 1 euro e 95 cent, pa TVSH. Nëse përfshihet edhe TVSH-ja, sipas tij, arrin në 2 euro e 10 cent.
“Çmimin për të cilën ne kompania jonë jemi duke e shitur është 1 euro e 95 cent, për litër pa TVSH, që me TVSH arrin në 2 euro e 10 cent. Ndërsa çmimi në treg për ne si kompani është shqetësuese dhe i lusim që t’i korrigjojnë çmimet. Më shumë është krijuar një panik, një shqetësim te qytetarët”, tha ai.
Mustafa tha se bashkë me ministri Faton Peci kanë diskutuar mundësin për stimulimin e bujqve për mbjelljen e farës së lulediellit.
“Ne me ministrin Peci, e diskutuam mundësinë e rritjes së rafinerisë tonë për shtrydhjen e lulediellit dhe për mbjelljen e farës së lulediellit. Kemi sasi të konsiderueshmë që mund të mbulojmë edhe për një muaj konsumi”, tha pronari i kompanisë ‘Floil’, Berat Mustafa.
Çmimi i një litri vaj nëpër marketet e Kosovës është duke u shitur 3.49 euro. Ky çmim u rrit për 1 euro që nga dita e djeshme.