Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për medie pas rritjes enorme që ka pësuar çmimi i vajit në vend.
Kurti ka thënë se çmimi prej 3,49 euro është artificial, i paarsyeshëm dhe aktualisht është më i larti në botë.
“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë. Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen”, tha ai.
Sipas tij, çmimi identik i vajit në dyqanet anembanë Kosovës nuk është i rastësishëm.
“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.
Ai është shprehur se do merren masa dhe inspektorët janë duke bërë dokumentimin e të gjitha shkeljeve, pasi që sipas tij nuk ka asnjë arsye që çmimi i vajit të jetë kaq i lartë.