Të martën, më 15 tetor, një shtetas i Kosovës ka vdekur në Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV). Vdekja ka ndodhur pas një përpjekjeje për vetëvrasje që kishte bërë ai një javë më parë në burgun “Mermet” të Lozanës, shkruan polizeinews.ch.
Kosovari 36- vjeçar ishte gjetur i varur me një litar në një dush të burgut dhe menjëherë, nga inspektorët e burgut dhe personeli mjekësor janë marrë masat për shpëtimin e tij. Ata i kishin bërë masazhin e zemrës dhe pastaj, në gjendje kritike siç ishte, e kishin transportuar në Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV).
Kjo kishte ndodhur të martën, më 8 tetor.
Në këtë spital, kosovari ka ndërruar jetë në mëngjesin e hershëm të martës, më 15 tetor.