Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media në Kosovë (KPM), Faruk Rexhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e operatorëve shpërndarës, apo operatorëve kabllovikë, i kanë larguar nga transmetimi kanalet e Federatës Ruse.
“Jemi njoftuar se shumica e operatorëve i kanë larguar këto kanale. Ne sot i kemi monitoruesit në terren. Do të verifikohen operatorët e shpërndarjes që veprojnë në Kosovë se a e kanë respektuar vendimin e KPM-së apo jo”, tha Rexhaj.
Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës ka vendosur më 26 shkurt për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim të, siç është thënë, parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Kosovë.
Vendimi është marrë dy ditë pasi Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në mesin e këtyre kanaleve janë: RT, Russia 24 dhe Planeta RTR.
Faruk Rexhaj i KPM-së thotë se këto kanale janë transmetuar nga operatori i shpërndarjes MTS, i cili funksionon në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
MTS është nën pronësi të Telekomit Serb dhe është themeluar në vitin 2015, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
REL konfirmon edhe përmes disa personave privatë, të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, se kanalet ruse janë larguar nga MTS-i.
Sipas Rexhajt, ka qenë edhe një operator shqiptar që ka transmetuar kanale ruse.
“Ka pasur edhe operator shqiptar të shpërndarjes që ka bërë transmetimin e këtyre kanaleve. TELKOS ka pasur dy kanale ruse, mirëpo të njëjtat i ka larguar qysh para vendimit të KPM-së”, tha Rexhaj.
Nëse vendimi i KPM-së nuk respektohet, Rexhaj tha se do të ketë dënime për operatorët, deri te pezullimi i licencës.
Komisioni i Pavarur i Mediave është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
KPM-ja licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit, si dhe rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, të cilët ofrojnë shërbime mediale, audio dhe audiovizuele.
Një ditë më herët, Bashkimi Evropian ka vendosur t’i ndalojë mediat ruse në BE, siç janë: RT dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre.