Aleanca e NATO-s ka thënë se aleatët i kanë vendosur forcat në gjendje gatishmërie dhe kanë dërguar aeroplanë luftarakë dhe anije shtesë në Evropën Lindore, duke e përforcuar mbrojtjen e aleatëve në kohën kur Rusia po e vazhdon grumbullimin ushtarak në Ukrainë dhe përreth saj.
Në ditët e fundit, disa vende aleate kanë dhënë njoftime në lidhje me dërgesat e tyre të tanishme dhe të ardhshme. Danimarka do të dërgojë një anije luftarake në Detin Baltik dhe pritet të dërgoje edhe aeroplanë luftarakë “F-16” në Lituani në përkrahje të misionit patrullues ajror të NATO-s.
Spanja do të dërgojë anije për t’iu bashkuar forcave detare të NATO-s dhe po e shqyrton dërgimin e aeroplanëve luftarakë në Bullgari, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen zyrtare të NATO-s, shkruan Gazeta Express.
Franca e ka shprehur gatishmërinë e vet për të dërguar trupa në Rumani nën komandën e NATO-s. Holanda do të dërgojë dy aeroplanë luftarakë “F-35” në Bullgari nga prilli për t’i përkrahur aktivitetet ajrore patrulluese të NATO-s në rajon dhe do t’i vendos në gjendje gatishmërie një anije dhe njësitë me bazë tokësore për Forcën Reaguese të NATO-s. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë bërë të qartë se janë duke e shqyrtuar rritjen e pranisë ushtarake në pjesën lindore të aleancës.
NATO Allies are putting forces on standby and sending additional ships and fighter jets to #NATO deployments in eastern Europe, reinforcing Allied deterrence and defence as #Russia🇷🇺 continues its military build-up in and around #Ukraine🇺🇦
— NATO (@NATO) January 25, 2022
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha: “E mirëpres kontributin e aleatëve me forca shtesë për NATO-n. NATO-ja do të vazhdojë që t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur të gjithë aleatët, edhe përmes përforcimit të pjesës lindore të aleancës. Ne gjithmonë do të përgjigjemi ndaj cilitdo përkeqësim të mjedisit tonë të sigurisë, edhe përmes fuqizimit të mbrojtjes sonë kolektive.”
“Prania e tyre (forcave të vendeve anëtare të NATO-s) bën të qartë se një sulm ndaj një vendi aleat do të cilësohet sulm ndaj tërë aleancës”, thuhet në fund të njoftimit.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur 8,500 trupa në gjendje gatishmërie pas situatës në Ukrainë, teksa Rusia duket se nuk ka ndërmend të zmbrapset, njofton agjencia e lajmeve AFP.