Prokuroria Speciale kërkon dënimin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj ish kryetarit të Gjakovës Pal Lekaj, ish drejtorit për Bujqësi, Ismet Isufi, zyrtarit Gani Rama dhe biznesmenit Veli Hajdaraga, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të subvencioneve, nga palët në procedurë është dhënë fjala përfundimtare.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Prokuroria Speciale në fjalën e tij përfundimtare, i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtor dhe t’i dënojë sipas ligjit. Kurse avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar lirimin e tyre.

I kontaktuar nga KALLXO.com avokati i të akuzuarit Gani Rama, Ndrecë Dodaj ka deklaruar se në seancën e kaluar janë administruar provat materiale dhe nga palët në procedurë është dhënë fjala përfundimtare.

Ai ka konsideruar se ndaj klientit të tij nuk janë vërtetuar pretendimet e Prokurorisë Speciale, prandaj kërkoi lirimin.

“Nuk besoj që ka vendim tjetër përveç lirimit të Gani Ramnës, pos lirimit nuk do të ketë vendim të drejtë të Gjykatës”, tha avokati Dodaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci, për KALLXO.com ka sqaruar se edhe pse Lekaj ishte i pafajshëm, i njëjti tash e 7 vite po zvarritet në procedurë penale që nga faza e hetimit e deri tani.

“Apeli ka cituar se shkalla e parë nuk kishte arritur ta vërtetonte kohën e kryerjes së veprës penale dhe kjo sipas Apelit ishte përcaktuar në mënyrë paushalle dhe jo sikurse kanë vepruar të pandehurit”, shtoi avokati Koci.

Shpallja lidhur me këtë rast do të bëhet më datë 21 janar në ora 15:30.

Në shkurt të vitit 2021, Pal Lekaj ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Gani Rama ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht ndërsa Ismet Isufi me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi është shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht 1 vit.

Katër të akuzuarit po ashtu janë obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dënimin në shumën prej 69,786 euro në afat prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjithashtu, gjykata kishte detyruar të akuzuarin Veli Hajdaraga që t’ia kompensojë ATK-së shumën prej 21, 283 euro në emër të tatimit të papaguar dhe në emër të kontributve personale shumën prej 3,435 euro në afat prej një viti pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Mirëpo Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e shkallës së patë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL” në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa, i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangies nga tatimi.

Prokuroria Speciale e akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i Komunës se Gjakovës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631,671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69,786.00 euro.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizim të vizave.