Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka kritikuar deklaratën e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, që tha se serbët në Kosovë duhet të votojnë për referendumin kushtetues në Serbi.
Për më tepër, atë e kanë quajtur zëdhënës të presidentit serb Aleksandar Vuçiq derisa mosdistancimin e BE-së nga deklaratat e Borrellit si “qëndrim mohues (neutral) ndaj statusit politik të Kosovës duke e mohuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, njofton Klan Kosova.
“Më të zëshmit për mbajtje të këtij referendumi të Serbisë në Kosovë janë Josep Borrell, përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe në të njëjtën kohë edhe zëdhënës i Aleksandar Vuçiqit brenda BE-së si dhe Velko Odalloviq, aktualisht sekretar i Kuvendit të Serbisë dhe njëri ndër ideologët për krime lufte në Kosovë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Se Velko Odalloviq është agresiv në propagandën e tij kundër Kosovës dhe qeverisë së Kosovës edhe mund të kuptohet për faktin se tërë kohën ka qenë në shërbim të krimit në Kosovë, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit e deri në kohën e Aleksandar Vuçiqit, i konvertuar nga kriminel lufte në kriminel të paqes. Po halli është te Josep Borrell që, përveç se është përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme, në të njëjtën kohë është edhe “lehtësues “ në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe i cili shquhet për anim permanent në favor të Serbisë”.
KMDLNJ ka ftuar të gjitha subjektet politike opozitare dhe shoqërinë civile të përkrahin kundërshtimin e Qeverisë së Kosovës për mbajtje të referendumit të Serbisë në Kosovë , si shprehje të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës dhe detyrim ndaj respektimit të Kushtetutës së Kosovës.
“Velko Odalloviq po e luan një lojë të ndyrë në përpjekje për ta përçarë skenën politike të Kosovës duke e bërë një prerje midis qeverive të mëparshme dhe qeverisë aktuale përkatësisht duke e satanizuar kryeministrin Albin Kurti e që kjo nuk duhet të lejohet. Bindjet dhe ndasitë politike duhet të lihen anash kur është në pyetje interesi i përgjithshëm dhe i përbashkët për Kosovën.
Qeveria e Kosovës nuk mund të kushtëzojë se kush do të jetë përfaqësues i BE –së në bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, por duhet të reagojë në çdo veprim anues të Borrell-it dhe Lajçakut duke mos bashkëpunuar për jetësimin e propozimeve të tyre e që janë nga pozicionet puro serbe”.
“Moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese të Serbisë ku Kosova është pjesë e Serbisë nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut përmes mohimit të drejtës së votës por pikërisht është demonstrim i zbatimit të universalitetit të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, racës, gjinisë, bindjeve politike dhe statusit në shoqëri. Madje, pikërisht ndërkombëtarët i kanë imponuar Kosovës devijim nga universaliteti i të drejtave të njeriut përmes diskriminimit pozitiv që vlen për serbët e që praktika e të drejtave të njeriut nuk e njeh këtë cilësim, andaj KMDLNJ kërkon që ky cilësim diskriminues (diskriminimi pozitiv) të hiqet nga përdorimi për t’i lënë vend zbatimit të të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat e njeriut, pa bërë asnjë diskriminim”.