Pasditen e së mërkurës është raportuar për një vrasje në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një person dyshohet se ka vrarë gruan e tij.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Sipas prokurorisë i dyshuari me inicialet S.Q, me dashje ka privuar nga jeta gruan e tij.
Prokuroria njofton se burri kishte shtënë gjashtë herë në drejtim të gruas, e cila kishte vdekur gjatë rrugës për në spital.
“Ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë ta ditur se seanca për caktimin e paraburgimit për të arrestuarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.