Krimet e Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj sot kanë zhvilluar një aksion policor në Brezovicë, i cili rezultoi me arrestimin e dhjetë personave.
Në mesin e të arrestuarve, të cilët po dyshohen për “Marrje të ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, është ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave.
Nikoliq në Agjencinë Kundër Korrupsion, sa ishte kryetar komune, ka deklaruar saktësisht 132 mijë e 231 euro e 58 centë para të gatshme të deponuara në tri banka, disa prej tyre në Beograd.
Përveç parave të gatshme, ai ka deklaruar se posedon edhe një stan në vlerë të 50 mijë eurove, si dhe një automjet në vlerë të 65 mijë eurove.
Ndërkaq, ish-kryetari i Shtërpcës ka thënë se të hyrat e tij vjetore janë 16 mijë e 156 euro.
Nikoliq në vitin 2015 bashkë me zyrtarin e prokurimit në Komunën e Shtërpcës, Agim Rexhpin, akuzoheshin për keqpërdorim detyre, pasi që kishin lidhur një kontratë prej 346 mijë e 674 eurosh për ndërtimin e disa banesave.
Mirëpo, të dytë u liruan nga akuza, pasi që trupi gjykues vlerësoi se Prokuroria nuk arriti që të dëshmojë se ata kanë kryer veprën për të cilën akuzoheshin.