Mëngjesin e së martës në të gjitha pikë-kalimet kufitare të Kosovës nuk ka pritje në hyrje dhe dalje të territorit të vendit tonë.
Sipas raportit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (gjendja në orën 07), ndonëse kemi hyrë në fazën e ardhjes së mërgimtarëve, në asnjërën nga pikat kufitare me vendet fqinje, nuk ka pritje.
Në të gjitha vendkalimet, për të hyrë në Kosovë prite 3 deri në 5 minuta, përveç në Merdar, ku pritet deri në 10 minuta.
Ndërkaq, të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që duan të hyjnë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare duhet të paraqesin testin negativ për coronavirus, në qoftë se nuk kanë dëshmi të vaksinimit.
Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ua rikujton udhëtareve se dëshmia e vaksinimit do të kërkohet nga Policia.
Ndryshe në vendimin për masat anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 01 dhjetor thuhej se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;
-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
-Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij (Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19), thuhej në vendim.