Të gjithë kosovarët që përdorin automjete, nga fundi i këtij viti mund të përballen me një befasi jo edhe aq të këndshme.
Çmimi i derivateve, me të cilat lëvizin automjetet e tyre mund të shtrenjtohen jashtëzakonisht shumë. Krejt kjo për shkak të tensioneve në lindjen e mesme, nga të cilat pritet të ndikohet edhe Kosova për shkak të tregut global të naftës.
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman paralajmëroi se çmimet botërore të naftës mund të rriten në “nivele të paimagjinueshme” nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mban një qëndrim “të fortë dhe të vendosur” ndaj Iranit.
Përndryshe, tha ai, tensionet do të shkallëzohen. Muhamed bin Salman i bëri komentet në programin televiziv amerikan 60 Minuta.
Intervista vjen 15 ditë pas goditjeve ndaj objekteve të naftës saudite, që paralizuan rreth 50 për qind të prodhimit të papërpunuar të vendit dhe 5 për qind të furnizimit global me naftë.
Udhëheqësi de-fakto i Arabisë Saudite i quajti goditjet një akt lufte po ashtu si edhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. Të dy ata akuzuan Iranin, rivalin kryesor të Arabisë Saudite në rajon, se qëndronte pas sulmeve të 14 shtatorit.
Franca, Gjermania dhe Britania kanë fajësuar gjithashtu Teheranin për sulmet. Irani mohon se ka gisht në këtë ngjarje.