Siç ishte paralajmëruar, Këshilli Federal reagoi sot ndaj numrit në rritje të rasteve me korona duke vendosur për një sërë masash. Masat shtrënguese do të hyjë në fuqi të hënën më 6 dhjetor dhe do të zbatohen deri më 24 janar. Rregulloret e reja të hyrjes në Zvicër hyjnë në fuqi të shtunën.
Zgjerimi i detyrimit për maskë: Tani ky detyrim është i vlefshëm në të gjitha ambientet e mbyllura në të cilat zbatohet edhe detyrimi për certifikatë, transmeton albinfo.ch. Takimet private përjashtohen nga ky rregull.
Ulja e detyrueshme në restorante, të dhënat e kontaktit në trajnimet sportive: Aty ku nuk është e mundur të vihet maskë, zbatohen masat zëvendësuese: Në restorante dhe klube për shembull, ulja është e detyrueshme për të ngrënë dhe pirë. Nëse është zbatuar rregulli 2G, atëherë kjo masë nuk zbatohet. Për aktivitetet sportive dhe kulturore si trajnimi në ambiente të mbyllura ose provat e korit, duhet të mblidhen detajet e kontaktit.
Mundësia për t’u kufizuar në 2G: Këshilli Federal parashikon në mënyrë eksplicite zbatimin e rregullit 2G: Të gjitha institucionet publike për të cilat vlen detyrimi për certifikatë mund të kufizojnë qasjen për personat e vaksinuar dhe ata të shëruar. Në këmbim, mund të hiqet detyrimi për maskë.
Në mënyrë të ngjashme, rregulli 2G mund të zbatohet edhe për të gjitha ngjarjet në ambiente të brendshme ose të jashtme. Prandaj, aplikacioni i testimit për certifikatat Covid do të zgjerohet deri më 13 dhjetor. Deri atëherë, organizatorët e aktiviteteve duhet të kontrollojnë manualisht nëse një person është vaksinuar apo është shëruar.