Zogjtë ikën e zogjtë po ikin,
janë të vetmit që s’e durojnë dot
të verdhët anemik të vjeshtës.
PA HIPODROM
Është mirë mbi kalë,
vërtet,
sepse gjurmët
të mbeten vetëm në yzengji,
por pa hipodrom
s’ke ku e lëshon kalin në galop.
ERA LUAN ME GJETHE
Me trungje
era nuk luan dot,
as vals, as tango,
as valle fokstrot.
SOT E MOT
Në çiflig sot e mot
kush mbjell nuk korr.
NUK ECIN RRUGËT
Tash rrugët nuk ecin,
gjarpërojnë ndër mua
si shtretërit e lumenjve të shterur.
LINDI NË PERËNDIM
Buzëmbrëmja zgjati dy ditë,
sepse dielli nuk ra në det,
u mbush zjarr e lindi edhe një herë
për dritën e syve tanë.