Konsiderohet se është njeriu më i pasur në vend. Madje, ai posedon edhe një aeroplan privat në vlerë prej 9 milionë e 900 mijë eurove. Por, Behgjet Pacolli në maj të vitit 2018, kur e mbante pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, kishte paguar nga kuleta e shtetit 8 mijë e 222 euro për një biletë aeroplani për relacionin Frankfurt – Hong Kong.
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për kontratat e centralizuara për shërbimet e transportit ajror për vitet 2016-2019, gjeti se shumica e udhëtimeve që ishin ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme gjatë viteve 2017-2018 ishin biznes-klasë.
Çmimi mesatar i një bilete, sipas Auditorit, kapte shifrën e 2 mijë e 707 eurove.
“Për 33 bileta nga mostra e auditimit kishte shpenzuar 102,848 euro për udhëtimet e tij gjatë viteve 2017-2018. Bileta më e shtrenjtë e cila është paguar për të, kishte kushtuar 8,222 euro për udhëtimin në relacionin Frankfurt – Hong Kong”, thuhet në raport.
Këshilltari i Pacollit, në kohën sa ai drejtonte dikasterin e Punëve të Jashtme, Jetlir Zyrberaj, ka arsyetuar çmimin e biletës duke thënë se vizita ishte konfirmuar në momentin e fundit.
“Gjatë asaj vizite z. Pacolli u takua me guvernatoren e Hong Kongut, që ishte takimi i parë i një zyrtari kosovar me një zyrtar të lartë kinez që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Vizita u konfirmua në momentin e fundit nga Qeveria e Hong Kongut”, ka thënë Zyberaj
Behgjet Pacolli posedon aeroplan privat. Zyberaj tha se në shumicën e udhëtimeve jashtë vendit ai i ka bërë me shpenzime personale duke përdorur edhe aeroplanin e tij.
“Në të njëjtën kohë duhet theksuar se z.Pacolli shumicën e udhëtimeve zyrtare (duke përfshirë edhe anëtaret e delegacionit nga MPJ-së) i ka bërë me aeroplanin e tij privat dhe me shpenzimet e tij personale. Udhëtimet brenda buxhetit të Ministrisë janë realizuar në rastet kur avioni ka qenë në kontroll teknik ose për arsye të ndryshme nuk ka qenë e mundur që të përdoret, por këto kanë qenë situata të rralla”, tha tutje Jetlir Zyberaj.
Ndërsa, çmimet e larta të biletave të paguara nga Ministria e Punëve të Jashtme përgjatë viteve 2017 dhe 2018, ai i ka arsyetuar duke u thirrë në një vendim të vitit 2008.
“Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës që nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i mundësohet tejkalimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe udhëtimeve në kategori të tjera. Vendimi 16/24 i datës 12.06.2008, përcakton udhëtimin në kategori tjera për udhëtimet e Ministrit të Punëve të Jashtme jashtë vendit”, ka thënë ai.
Në qershor të vitit 2008, Qeveria miratoi vendimin për mbështetjen financiare të aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë vizitave të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ministria e Ekonomisë dhe Financave të lejojë tejkalimin e shpenzimeve të reprezentacionit si dhe shpenzimet me rastin e udhëtimeve jashtë vendit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe delegacionit të tij, jashtë rregulloreve (kufizimeve) të përcaktuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave”, thuhet në vendimin me të cilin është ngarkuar për zbatim atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.
Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.
Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.
Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.