Ministria e Shëndetësisë do t’i shqyrtojë javën e ardhshme masat anti-Covid që janë në fuqi. Por, paraprakisht, gjatë ditës së sotme MSh do të marrë një vlerësim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për situatën gjatë dy javëve të fundit.
Gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohen masat anti-Covid që janë në fuqi nga data 27 shtator.
Kështu kanë bërë të ditur në një përgjigje për Express nga Ministria e Shëndetësisë.
“Rishqyrtimi i masave pritet të behet javën që vjen”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se ende nuk dihet nëse do të hiqet kufizimi i lëvizjes apo se cilat do të jenë masat e reja, pasi kjo pritet të vendoset pas një analize nga IKSHPK-ja, e cila do të dorëzohet sot në MSh.
“Nuk e dimë ende cilat janë masat që do të hiqen apo cilat mund të vendosen, sepse kjo varet nga analiza e dy javëve të fundit e IKSHP-së, që MSh-së i dorëzohet nesër dhe nga rekomandimet që dalin prej saj, bazuar edhe në projeksionet se si mund të zhvillohet situata rreth covid-19 në ditët apo javët që vijnë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Express, dërguar të mërkurën.
Ndërkaq në pyetjen se a do të largohet masa e cila obligon qytetarët të vendosin maskën edhe kur janë duke ecur të vetëm në rrugë, nga MSh-ja kanë deklaruar se edhe kjo varet pas marrjes së analizës nga IKSHPK-ja.
“Do të trajtohet secila masë në fuqi nëse duhet të mbahet më tej apo jo, por duhet pritur propozimet që do të dalin pas marrjes së analizës së fundit të situatës për një periudhë më të gjatë kohore”, kanë deklaruar nga MSh.
Largimin e orës policore dhe maskës kur një person është i vetëm në rrugë e ka kërkuar Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, pati deklaruar për Express se këto masa duhet të largohen, pasi rastet pozitive me COVID-19 kanë rënë.
AKK i pati dërguar këtë kërkesë edhe ushtrueses së detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjakut.
“Ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021. 2. Mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën”, thuhet në kërkesën e AKK-së.
Edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar që të lehtësohen masat anti-Covid.
Gastronomët kanë kërkuar që të zgjatet orari i punës i cili momentalisht është deri në orën 21:30