Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë mund të jenë në fuqi edhe për dy javët e ardhshme. Kjo është bërë e ditur pas një takimi të zhvilluar të enjten mes ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe anëtarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Sipas një njoftimi për media nga AKK thuhet se në takim ka qenë një vlerësim i përgjithshëm se masat do të mbesin në fuqi, sidomos tani që ka nisur procesi mësimor dhe po zhvillohet fushata për zgjedhjet lokale më 17 tetor.
Gexha-Bunjaku ka thënë se ka një rënie dhe stabilizim të situatës epidemiologjike të pandemisë së COVID-19.
Në këtë takim, kryetarët e komunave kanë kërkuar që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksinuar si dhe të hiqen maskat kur një person është duke ecur i vetëm.
Po ashtu u kërkua që të shikohet mundësia e heqjes së orës policore dhe të vazhdojë furnizimi i komunave me barna esenciale.
Në Kosovë, më 27 shtator, kanë hyrë në fuqi masat e reja për luftimin e pandemisë së koronavirusit. Masat e reja në të shumtën e rasteve përfshijnë kërkesa për dëshminë e vaksinimit kundër këtij virusi.
Në lokalet e gastronomisë, në hapësirat e mbyllura, nuk mund të hyhet pa certifikatën e vaksinimit ose testet negative për COVID-19.
Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.