Pozita e gruas në shoqërinë tonë ka qenë një sfidë me të cilën vendi ynë është përballur për një kohë të gjatë. Andaj, me qëllim të emancipimit e fuqizimit të rolit të gruas, si në familje ashtu edhe në shoqëri, në linjë me Programin Qeverisës, sot Kryeministri Kurti e Ministri Murati prezantuan fillimin e zbatimit të masës 3.5 – Pagesa për Lehona dhe Shtesat për fëmijë.
Qëllimi i kësaj mase është forcimi i pozitës financiare të gruas në shoqëri, e cila rrjedhimisht përkthehet në rritje të mirëqenies e barazisë shoqërore. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Kryeministri Kurti u shpreh se “Barazia arrihet atëherë kur mundësitë dhe mbështetja e ofruar marrin parasysh nevojat dhe rrethanat e ndryshme për të pasur një rezultat të barabartë.”
Në anën tjetër, Ministri Murati fillimisht shpalosi masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike të cilat vendosin në radhë të parë gruan dhe rolin e saj në shoqëri, duke vazhduar pastaj me prezantimin e detajeve lidhur me kushtet dhe kriteret për përfitim nga masë 3.5.
Së fundi, përfaqësuesit e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, prezantuan dhe demonstruan procesin e aplikimit për këtë masë, e cila do të realizohet përmes platformës eKosova.
Sipas masës 3.5, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 3 muaj, krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë. Në anën tjetër, këtë muaj fillon edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që do të përfshijnë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe 2021 me nga 20 Euro në muaj. Gradualisht, me fillim nga Janari i vitit 2022 do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 Euro në muaj.
Nënat e reja mbi 18 vjeç që kanë lindur foshnjën nga data 1 Gusht 2021 mund të aplikojnë për mbështetje duke plotësuar formularin për aplikim në platformën elektronike eKosova me të dhënat personal të aplikueses, numrin e llogarisë bankare dhe numrin personal të foshnjës. Njëlloj realizohet edhe aplikimi për shtesat për fëmijë.
Bashkëngjitur me këtë komunikatë, ju lutem gjeni Vendimet për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e Masës 3.5.