Shkruan Pro.Hajdin Morina
(mikut tim Tahir Desku në vigjilje të 64-vjetorit të lindjes)
1.
Mosni bre!
mosni, njerëzit e mi,
unë vërtet piva raki,
është e vërtetë,
por unë nuk piva djersë.
2.
Mosni bre!
Mos thoni Tahiri pinte raki,
por thoni Tahiri bëri punë
të mos ketë Kosova muzg e burg.
3.
Mosni ju lutem!
Mos përgjoni, mos blasfemoni,
thoni Tahiri bëri luftë
të ketë Shqipëria diell e yje më shumë.
4.
Mos thoni bre
Tahir Desku pinte raki,
por thoni ai ka bërë poezi,
Atdhe dhe Liri.
5.
Thoni Tahiri e ka shtruar tokën me dashuri
dhe qiellin e Arbërisë e ka mbështjellë me poezi.
6.
Mosni bre njerëz!
Mos thoni ai pinte raki,
sepse unë ende e pi të shkretën,
mes jush jam në gëzimin tonë të festës,
në dhimbjen tonë të vdekjes.
7.
Thoni Tahiri është atje lart,
vëlla i shqiponjave
në llogore në mal.
8.
Mos thoni se vdiqa në dhjetor mbi borë
por thoni se një hënë më la pa sy
e nuk pashë asgjë, për besë,
as Kronin e Mbretit,
as gropën e lotëve të jeniçerit
dhe ende nuk e di a vdiqa kaq i ri.
9.
Mosni, ju lutem, njerëzit e mi!
Mos thoni Tahir Desku nuk shkruan më poezi
mbi një shkëmb Drenice,
pranë shokëve të vrarë për liri.
10.
Mosni, ju lutem, mosni o njerëz!
të paktën ti mos hesht Drenica ime,
ti mos hesht!