Shtatë zyrtarë në Komunën e Pejës janë ndaluar sot nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”,
Ndalimi i tyre u bë pas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Pejë për ndërtimet e kundërligjshme.
Shtatë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionet policore përkatëse nga Prokuroria e Pejës dhe Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Zyrtarët e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
Sinjali mëson se zyrtarët në fjalë janë:
Arianit Krasniqi – drejtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike në Komunën e Pejës,
Mustafë Nila – drejtor i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës,
Mentor Beqiri – inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës,
Argjent Lleshi – zyrtar ligjor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës,
Osman Kollqaku – ish-punëtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike (i angazhuar ende në punë) në Komunën e Pejës,
Plarent Trakaniqi dhe Faton Bajselmani – (gjeodetë të licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës).
Java më parë, Prokuroria e Pejës kishte urdhëruar ndalimin e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit, të dyshuar për korrupsion.
Gjatë atij aksioni ishin arrestuar edhe disa zyrtarë të tjerë komunalë, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.