Furnizimi me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza dhe ndërtimi i rrugës së transitit, janë tri projekte më të mëdha që kreu i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj synon t’i përfundojë në këtë mandat.
Elezaj gjatë një interviste për lajmi.net ka thënë se kanë trashëguar një gjendje të rëndë nga qeverisja e kaluar sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Ai ka thënë se për zgjidhjen e këtij problemi vitin e parë të qeverisjes kanë qenë të koncentruar në variantin e furnizimit me ujë nga burimi i Lumit Istog.
Sipas tij, deri në vitin 2021 komuna e Klinës do të ketë ujë të pijshëm 24 orë.
Kreu i Klinës ka folur edhe për problemin me pluhurin nga gurthyesit, për të cilën i ka hedhur fajin Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Derisa ka folur për marrëdhëniet me opozitën, në këtë Komunë, Elezaj ka thënë se janë duke u munduar që të bashkëpunojnë.
Elezaj ka folur edhe për premtimin të cilin nuk e mbajti, për emërimin e të paktën tri grave në krye të drejtorive. Për të cilin ka thënë se ai e ka emëruar një drejtoreshë nga AAK-ja, por që thotë se nuk i ka obliguar partnerët e koalicionit
Ndër të tjera, Elezaj ka folur edhe për Investimet kapitale në bujqësi, për të cilat ka thënë se janë rritur dhe këtë vit kapin vlerën prej 850 mijë euro.
Ndërsa, sipas tij, pjesa e subvencioneve komunale në bujqësi për këtë vit kap vlerën e 55 mijë euro. /Klina.info