Ish-ministri i Shëndetësisë Numan Baliq, është shpallur fajtor për veprën penale të sulmit seksual.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliq është dënuar me dy vite burgim. Në këtë dënim, Baliqit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, Baliqit iu ndalua i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve.
Ai u obligua që për shpenzime procedurale të paguajë 50 euro, kurse për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro.
Ndryshe, Numan Baliq në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 6 tetor 2020, kishte deklaruar se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale që po e akuzon Prokuroria Themelore e Pejës.
Sipas aktakuzës, Baliq akuzohet se me 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësorë duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e dëmtuara, në natën kritike kishte qenë duke e shoqëruar fëmijën e saj 6 muajsh, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.
Po ashtu, në aktakuzë, përmendet se përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut/kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme.
E dëmtuara, vazhdon aktakuza, duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, më pas e raporton rastin në Polici.