Pas votimit që shqyrtimi i parë i ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Procedurës Penale të bëhet në procedurë të përshpejtuar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se brenda dy muajve mund ta procedojnë Kodin e ri të Procedurës Penale.
Haxhiu ka thënë se deri tani nuk ka pasur trajtim serioz të krimeve të luftës, dhe se në mënyrë që të hiqen pengesat që mund të adresojnë këto raste, është propozuar largimi i disa kritereve.
“Kompetencën për adresimin e krimeve të luftës e kishte UNMIK’u pastaj EULEX’i e pastaj institucionet vendore. Në mënyrë që prokuroria speciale të ketë kohë t’i trajtoj këto raste, është i rëndësishëm ndryshimi që është proceduar në këtë ligj. Deri tani nuk ka pasur trajtim serioz të krimeve të lufteve. Mungesa e vullnetit politik ka bërë që kjo të ndikojë edhe në vullnetin e institucionet. Ne brenda dy muajve do ta procedojmë Kodin e ri të Procedurës Penale”, ka deklaruar ajo.
Përndryshe, Kuvendi sot me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar përshpejtimin e procedurës për shqyrtimin e parë të ndryshim-plotësimit të Kodit të Procedurës Penale.