Qeveria e Kosovës kishte ndarë 60 milionë euro për bizneset në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes në tetor të vitit 2020.
Listën e plotë të përfituesve të kësaj ndihme e ka publikuar ministri i ri, Hekuran Murati, e cila përmban 50 biznese,
“50 bizneset që përfituan më së shumti nga Pako e Rimëkëmbjes prej 60 milionë euro shpërndarë nga Qeveria e kaluar, në tetor të vitit 2020. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020”, ka thënë ministri.
Ndërkohë, cka bie në sy, është fakti që katër bizneset që kanë përfituar më së shumti nga kjo pako ndihme, janë biznese që janë prekur thuajse më së paku.
Kompania që ka përfituar më së shumti është Viva Fresh, e cila ka të deklaruar 2967 punëtorë. Kjo kompani ka përfituar nga shteti 860 mijë e 615 euro për 1 muaj.
Pas saj vije ELKOS që njihet me rrjetin e marketeve ETC, e cila ka 2330 punëtorë. Kjo kompani ka përfituar 675 mijë e 845 euro.
E treta në këtë listë është kompania Proex që njihet me rrjetin e markeve INTEREX, e cila ka 1155 punëtorë. Proex ka përfituar 335 mijë e 22 euro.
E katërta në listën e përfituesve është kompania HIB Petrol, që ka të deklaruar 1060 punëtorë. HIB ka përfituar 307 mijë e 466 euro vetëm në muajin tetor.
Nëse mblidhen në total përfitimet e këtyrë katër kompanive, del se vetëm këto kanë përfituar nga shteti hic më pak se 2 milionë e 178 mijë e 948 euro.
Ndryshe, vlen të theksohet se bizneset më të vogla janë ankuar se shteti nuk i ka ndihmuar sa duhet, sidomos sektori i gastronomisë, i cili ishte mbyllur tërësisht.