Agim Veliu sot e humbi edhe një pozitë drejtuese, pas mbajtjes së mbledhjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur Kryesinë e re të partisë që tashmë po drejtohet nga Lumir Abdixhiku.
Ai nuk arriti të rizgjidhet nënkryetar i partisë më të vjetër në vend, shkruan Klan Kosova.
Në vend të tij u zgjodhën Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni, Shqipe Mjekiqi, por jo edhe Agim Veliu si një ndër themeluesit e LDK-së.
Mirëpo kjo nuk është e vetmja pozitë e rëndësishme e humbur e tij. Brenda një periudhe të shkurtër, ai humbi edhe dy pozita tjera drejtuese në nivel lokal dhe qendror.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, por nuk siguroi mjaftueshëm vota për ta formuar e vetme Qeverinë, andaj pas katër muajsh bisedime, bëri koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën ishin pajtuar që Veliu të bëhet ministër i Punëve të Brendshme.
Koalicioni u konfirmua nga dy krerët e partisë [Albin Kurti – VV dhe Isa Mustafa – LDK] përmes një konference të përbashkët për media dhe pas katër ditësh, Agim Veliu dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës – bastion ky i LDK-së për 20 vjet rresht – për t’u bërë kujdestar i sundimit të ligjit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës.
Mirëpo ky rrugëtim nuk i zgjati shumë sepse u shkarkua pas 44 ditësh nga kryeministri i atëhershëm Albin Kurti, për shkak të një deklarate që kishte dhënë në televizionin Klan Kosova, që sipas Kurtit ishte “kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.
Komuna e Podujevës e cila kishte mbetur me ushtrues të detyrës së kryetarit, Nexhmi Rudari, u desh të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur kryetarin e ri. Ishte befasi për mbarë opinionin kur u mësua se VV me Shpejtim Bulliqin kandidat, kishte fituar zgjedhjet në këtë komunë.
Nga disa njohës të zhvillimeve politike në vend, kjo u cilësua si humbje e rëndë e Veliut i cili e kishte drejtuar këtë komunë që nga viti 2014.
“I kemi humbur këto zgjedhje, ky është vendim i sovranit dhe do t’i presim rezultatet përfundimtare”, kishte thënë Veliu.
Tani me zgjedhjen e Kryesisë së re të LDK-së, ku ai nuk arriti të rizgjidhet nënkryetar i këtij subjekti politik, i bie që Veliu ka humbur tri pozita të rëndësishme drejtuese brenda pesë stinëve të fundit.
Lidhur me këtë ngjarje, klankosova.tv ka provuar ta kontaktojë atë për të marrë ndonjë prononcim, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur