Policia e Kosovës ka dhënë informacione shtesë në lidhje me raportimin e saj të cilësuar si ‘vjedhje e rëndë’ në Aeroportin e Prishtinës.
Sipas Policisë, më 30 dhjetor 2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private. Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO. Ndërsa tani, më 29 janar 2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo, thuhet në njoftimin me informata shtesë të Policisë së Kosovës.
Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore. Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit.